Moshimi është dhuratë për t’u ndarë me të tjerët

Në një kulturë të pushtuar nga ruajtja e rinisë me ngulm, nuk është e lehtë që moshimi të konsiderohet si dhuratë.  

 

“Energjia nuk është më si dikur”. “Opsionet për më tutje pakësohen”. “Shëndeti përkeqësohet”. “Kur pamja nis të ndryshojë, të duket se je pothuajse e padukshme”. Këto janë disa nga temat kryesore në bisedat për moshimin.

Të moshohesh, a qenka vetëm kaq?

Pyeta disa nga shoqëria ime, asnjëri prej tyre më shumë se pesëdhjetë vjet, se çfarë është “moshimi” për ta.

Më të rinjtë dukej se tmerroheshin nga ideja e kalimit të viteve; u dukej se kur je i moshuar, nuk të ka mbetur më asgjë. Të tjerë e pranonin moshimin në varësi të arritjeve dhe përvojave në jetë, apo mungesës së tyre. Për disa të tjerë, moshimi është veçse një fazë tjetër dhe se e kemi vetë në dorë ta bëjmë të vlefshëm.  

Në të vërtetë, të moshohesh është e vlefshme, por dhe aventurë. Ndërsa jeta na shpaloset para, ne shkojnë drejt aventurës së re të radhës, pa ndaluar asnjëherë së rrituri si individë. Një reagim i shëndetshëm ndaj moshimit do të ishte të miqësohemi me vitet që ikin dhe kohën ta përdorim mirë për të kultivuar ndjesinë e përgjegjësisë dhe ndjesinë për të ndarë nga vetja me shoqërinë.

Të moshohesh është një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar kontributin në botë, si një version më i pjekur dhe padyshim, më me përvojë i vetes. Ka aq shumë që mund të japim për të tjerët, duke ofruar përkrahje, perspektivë ndryshe, mentorim dhe përcjellje të njohurive që i kemi grumbulluar ndër vite.   

Pra, të moshohesh është dhuratë me shumë dimensione. Mentorimi dhe komunikimi ndërbreznor është një nga këto dimensione.

Fuqia e moshës - Të shfrytëzosh përvojën jetësore në mënyrë kuptimplotë

Ekspertja zvicerane e hotelerisë Vreny Markovic-Reis është personi i duhur për t’i kërkuar këshilla profesionale se si një hotel apo restorant të shndërrohet në histori të suksesit në biznes. Vreny ka punuar 42 në fushën e gastronomisë, ndaj ajo ka recetën për përmirësim të veprimtarisë së biznesit, për llojin e aftësimit që nevojitet për punonjësit, apo për të sjellë ide të reja që e bëjnë biznesin të dallohet nga të tjerët.  

Teksa i afrohej daljes në pension, Vreny e dinte se ajo ende mund të kontribuonte në fushën ku është ekspertë. Rastësisht, ajo bleu një gazetë lokale ku lexoi një artikull për Korpusin e Ekspertëve të Moshuar (Senior Expert Corps – SEC) të Zvicrës. Ajo bëri disa kërkime dhe kuptoi se kjo organizantë ofronte pikërisht atë çka ajo kërkonte: një mundësi për të vazhduar kontributin për shoqërinë duke vepruar në mënyrë të dobishme dhe kuptimplotë.

Në ditën e parë pas daljes në pension, Vreny mori telefonatën që i hapi rrugën e angazhimit pas pensionit. Katër muaj më pas, ajo fluturoi drejt Guatemalës me angazhimin e parë të saj për SEC-un, angazhim ky që do të pasohej nga të tjerë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Ukrainë dhe Nepal.   

 

“Gjithnjë pranoj angazhimet që kanë të bëjnë me hotele dhe restorante. Ky ka qenë profesioni im”, thotë Vreny. Angazhimi i saj në Kosovë ishte me restorantin Shtëpia Alpike Ranch në Pejë.   

Në restorantin Shtëpia Alpike Ranch, Vreny punoi krahas me pronarët për të përmirësuar punën ditore, për të rritur shitjet dhe për të zgjatur sezonin, gjë që nënkupton më shumë vende pune. Për shembull, nisja e punës më herët në mëngjes dhe ofrimi i pjatave të shumëllojshme i kënaq të ftuarit më shumë.

Arsim Gashi është një nga pronarët e Shtëpisë Alpike Ranch, që është biznes familjar. Për familjen Gashi, angazhimi i Vrenyt ishte shumë i rëndësishëm, pasi i ndihmoi që shërbimin ta ngrinin në nivel më të lartë, edhe pse restoranti ekzistonte për pothuajse 6 vjet.

“Vreny na tregoi se si t’i bëjmë gjërat ndryshe dhe në mënyrë më efikase. Ne ndryshuam mënyrën si kishim punuar deri në atë kohë: si të shtronim tryezat, si të dukej stafi, si t’i vendosnim pajisjet nëpër kuzhinë në mënyrë që procesi i punës të ishte më efikas dhe për menaxhimin në përgjithësi”, thotë Arsimi. “Jemi mirënjohës për këtë mundësi. Përvoja me Vrenyn ishte e shkëlqyer: ajo ishte shumë profesionale dhe personalisht e këndëshme për të punuar me të. Kjo mbështetje ishte shumë e vlefshme për ne dhe biznesin tonë”.

Vreny është njëra nga më shumë se 700 ekspertë teknikë që kanë dalë në pension, me përvojë nga artizanatet tek menaxharë hotelesh tek specialistë të marketingut. Këta ekspertë vënë në dispozicion njohuritë dhe kohën e tyre vullnetarisht si konsulentë afatshkurtër për ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe institucione në vendet në zhvillim dhe në Evropën Lindore.

Që nga themelimi në vitin 1979, ekspertët e SEC-ut kanë ofruar në mbarë botën rreth 800,000 orë punë vullnetare, që përllogaritet si kontribut rreth 30 milionë franga zvicerane. Korpusi i Ekspertëve të Moshuar është projekt i organizatës Swisscontact. Që nga viti 1993, këtë projekt e mbështet edhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Ashtu si edhe vetë Vreny thotë “SEC është një model ku të gjithë palët fitojnë. Mua më jepet rasti të shoh një vend të ri dhe të mësoj për zakone, tradita dhe kultura të reja. Biznesi përfiton nga një këndvështrim i ri dhe neutral për vete dhe merr ide për përmirësim. Mësojmë nga njëri-tjetri: unë mësoj të kuptoj jetën e tyre, ndërsa ata mësojnë nga përvoja ime e gjatë”.

Të shfrytëzosh përvojën dhe njohuritë e specializuara të profesionistëve që kanë dalë në pension është një vlerë më shumë për shoqërinë tonë.

 

Këshilla prej eksperteje e Vrenyt: Në gastronomi, kujdesi për detajet si prezantimi i pjatave dhe dekorimi i bukur krijojnë atmosferë dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Për të mësuar më shumë rreth SEC

www.seniorexpertcorps.org

Elfi Schaller është një eksperte e SEC-ut për biznese të tekstilit. Ajo mësoi për këtë shërbim nga një shoqe dhe që nga ajo kohë, Elfi ka qenë në Bolivi, në Katmandu (Nepal), ku ajo ka ndihmuar me hapjen e një kolegji për modën, si dhe në tre angazhime në Kosovë. Sa ka qenë në Kosovë, ajo ka punuar me kompaninë In Design, që ofron shërbime profesionale të printimit si dhe prodhon artikuj promocionalë. Kjo kompani kishte si synim të hapte një linjë të re të veshjeve sportive. Këshillat prej eksperteje të Elfit për kompaninë ishin:   

  • Krijimi i modeleve për produktet e reja (këmisha dhe pantallona)
  • Përcaktimi i madhësive për gratë dhe burrat
  • Kontrolli nëse masat ishin të duhurat për gra dhe burra
  • Manual për qepjen e përsosur të çdo veshjeje
  • Mjete për të optimizuar procesin e prodhimit për të kursyer në shpenzime
  • Pozicionim më i mirë në treg përmes mjeteve të ndryshme të marketingut



Tregim nga terreni

Ekonomist dhe konsulent i menaxhmentit në pension, Peter Guenter, tani pjesëtar i Korpusit të Ekspertëve të Moshuar, dan njohuritë dhe ekspertizën e tij në të gjithë globin që nga viti 2009. Ai ka ndihmuar kompani në Azi, Amerikën e Jugut, Afrikë dhe Evropë (Ballkan).

Bizneset që ai ka mbështetur janë po aq të ndryshme sa edhe vendet ku ka qenë: që nga industria e pijeve , prodhimi i paneleve diellore, tek produktet bujqësore, veraritë, madhe dhe një zinxhir të ushqimit të shpejtë.

Peter-i t hotë se ideja prapa Korpusit të Ekspertëve të Moshuar është mahnitëse: përcjellja e përvojës dhe njohurive për të mbështetur sipërmarrje të vogla dhe të mesme në nevojë në vende në zhvillim apo tregje të reja me qëllimin për të hartuar strategji të zhvillimit. E gjitha kjo, pa pagesë.

Në Kosovë, puna e Peter-it kishte të bënte me kooperativën e grave fermere në Krushë të Madhe. “Ky biznes që udhëhiqet tërësisht nga gratë ka marrë vendimet e duhura në mënyrë instiktive, duke krijuar vende pune për gratë në fshat”, thotë ai. Këto gra merren me përpunimin e produkteve lokale dhe më pas shesin me kavanozë apo kanaçe specialitetet e tyre të bëra nga specat, lakrat, trangujt dhe domatet.

 

Kooperativa e grave fermere të Krushës së Madhe është një markë tashmë e mirënjohur në Kosovë si për produktet tradicionale cilësore që prodhon, ashtu edhe për historinë e kësaj sipërmarrjeje. Kooperativa është themeluar nga gratë e veja të Krushës së Madhe të cilat humbën pothuajse të gjithë meshkujt e familjeve të tyre gjatë luftës. Ato mbetëm të vetme dhe me përgjegjësinë për të mbledhur copëzat e thyera të jetëve të tyre, për të rifilluar jetën për vete dhe familjet dhe për të siguruar jetesën.  

Gjatë misionit të tij në Kosovë, Peter-i bashkëpunoi me drejtoreshën e kooperativës, Fahrije Hotin, të cilën ai e përshkruan si “nismëtare e mahnitshme e këtij biznesi”.

Lidhur me punën e tij, Fahrije Hoti thotë se arsyeja përse kërkuan shërbimet e një eksperti nga SEC kishin kryesisht të bënin me marketingun dhe brendimin e produkteve të tyre. Pas përfundimit të misionit të tij, kooperativa e Krushës së Madhe kishte një plan biznesi të shkruar dhe një strategji për zhvillim me sytë nga e ardhmja. Rezultatet e këshillave të Peter-it u panë menjëherë me paraqitjen e re dhe të përmirësuar të produkteve dhe promovimin më të mirë në treg.

(Deklaratën e plotë të Fahrije Hotit mund ta dëgjoni këtu https://seniorexpertcorps.org/en/wirkung/kundenstatements/)    

Peter thotë “Strategjia për kooperativën kërkon edhe mjete financiare që ajo të arrijë qëllimet e veta. Për të nxitur zhvillimin e kompanive si kjo në Krushë të Madhe dhe për të krijuar vende pune në rajon, edhe mbështetja nga Qeveria është e pazëvendësueshme”.