Ide për produkte të reja turistike në Kosovë bëjnë bashkë akterë të sektorit

Vendpushimet joshëse të kampingut, shëtitjet mbi ura prej litari, fluturimet me balona rrëshqitjet me sajë gjatë stinës së verës janë disa nga produktet e reja të turizmit që mund të zhvillohen në Kosovë dhe që e rrisin vlerën e vendit si destinacion turistik. 

Rekomandimet për rreth 25 produkte të reja turistike janë përfshirë në raportin e MDP Consulting and Engineering, një kompani nga Franca, e angazhuar nga PPSE në kuadër të aktiviteteve të veta në mbështetje të industrisë së turizmit në Kosovë. Këto rekomandime përfshijnë produkte të turizmit malor, kulturor, urban dhe të aventurës, që mund ta transformojnë tërësisht ofertën e turizmit në Kosovë.

Për të dëgjuar se çfarë mendojnë akterët e turizmit lokal dhe çfarë do të propozojnë ata, PPSE ftoi përfaqësues të turizmit nga sektori privat, OJQ-të dhe qeveria lokale në Prizren dhe Prishtinë për të eksploruar bashkërisht produktet e reja turistike që mund të zhvillohen në Kosovë dhe mundësitë për investim.