Një grup i gazetarëve koreano-jugorë shijojnë atraksionet e Kosovës

Një udhëtim katër-ditor nëpër Kosovë duke vizituar disa nga atraksionet kryesore turistike të vendit ofroi mundësinë për një grup të gazetarëve të udhëtimeve nga Republika e Koresë së Jugut që të eksplorojnë Kosovën si destinacion.

“Kosova është shumë e mirë. Kisha mendim tjetër për Kosovën, por është vend i sigurtë. Gjithçka është shumë e bukur” tha Lauren Kim, një nga shtatë gazetarët e këtij grupi.

Historia, peisazhet natyrore, spiritualiteti, mikpritja dhe ushqimi ishin disa nga elementet e përfshira në udhëtimin për gazetarë që u organizua nga Ambasada e Kosovës në Japoni në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe me mbështetje nga projekti i Swisscontact-it Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat. Udhëtimi brenda vendit u organizua nga agjencia Fibula.

Itinerari u ofroi gazetarëve përvoja të bukura. Ata vizituan vende të spiritualitetit, pika dhe memoriale të historisë së vjetër dhe më të re, natyrën dhe kullat tradicionale. Grupi pati mundësinë të shijojë ushqimet vendase dhe madje morën pjesë në përgatitjen e ushqimit tradicional. Për më tepër, ata mësuan edhe për doket e vendit përmes muzikës tradicionale, performancës dhe rrëfimeve.

Qëllimi i këtyre udhëtimeve për gazetarë është që ta promovojnë Kosovën ndërkombëtarisht si një destinacion atraktiv turistik.