March 18, 2014

Turizmi

Vijat malore si psh Bjeshkët e Nemuna në Perëndim të Kosovës, lejojnë që turistët të kenë eksperiencë të njëjtë sikurse në malet e Alpeve – dhe dallimi I vetëm është se destinacioni i Bjeshkëve të Nemuna është natyrë e paprekur. Qyteti i Pejës, gjendet në hyrje të grykës së Rugovës, dhe është qyteti më i madh I asaj pjese. Me pikën më të lartë në Kosovë atë të Gjeravicës me 2,656 metra lartësi, ky vend është destinacion ideal për zhvillimin e turizmit natyror dhe të produkteve për turizëm aventurier gjatë sezonës së dimrit dhe verës. Që nga viti 2002, grupet entuziaste malore kanë filluar të zbulojnë aktivitet të ndryshme malore si p.sh. bjeshkatari, ngjitje në male, ngjitje në gurë, eksplorim I shpellave, etj. Me mbështetjen e donatorëve dhe OJQ’ve të ndryshme në 5 vitet e fundit infrastruktura siç janë shtigjet e ndryshme, rruga e hekurt, shtigjet e çiklistëve, janë zhvilluar deri më një masë. Gjithashtu është inkurajuar edhe zhvillimi I turizmit shtëpiak, ku familjet e ndryshme që banojnë nëpër ato zona hapën dyert për të mirëseardhur turistët e ndryshëm.

Shërbimet dhe pajisjet për qendra të vizitorëve janë të formuara, dhe një numër i konsiderueshëm i fletushkave promovuese janë në dispozicion. Shumica e produkteve turistike janë të destinuara për turizëm malorë gjatë sezonës verore. Gjithashtu ekzistojnë disa bujtina dhe restorante në të cilat mund të shkohet me veturë, dhe të cilat u shërbejnë turistëve të cilët nuk janë të interesuar për turizëm aventurier. Në fshatin Bogë, për entuziastët e skijimit dhe sporteve të borës ekziston edhe skilfti.

Zhvillimi i turizmit në Rugovë ka filluar nga individët dhe grupet e ndryshme të cilët morën iniciativë dhe fituan mbështetjen e donatorëve për zhvillimin e atrakcioneve, aktiviteteve, dhe të bëjnë pak promovim. Në të njëjtën kohë komunat përkatëse alokuan shuma të ndryshme buxhetorë për përkrahjen e këtij sektori, por ende mungon sensi i organizimit të sektorit dhe njohuritë mbi menaxhimin e destinacionit.

Në nivelin e sektorit privat, ende ekziston mentaliteti i konkurrencës së fortë, ku ndërmarrësit ende nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin, duke qenë se janë pjesë e destinacionit në tërësi. Shumica e bizneseve ende janë biznese fillestare dhe nuk kanë profit të mjaftueshëm. Gjithashtu, ende nuk ka ndonjë asociacion apo shoqatë me pagesë e cila do ta kryente shërbimin e koordinimit – gjë e cila do të kërkonte kohë dhe mund afatgjatë.

Ekipi i turizmit të programit të PPSE ka bërë disa hulumtime fillestare dhe disa takime me stejkhollder të ndryshëm të regjionit të Kosovës perëndimore. Përmes mjeteve analizuese të metodologjisë M4P, ekipi ka dizajnuar gjashtë intervenime potenciale. Secili intervenim është dizajnuar duke bërë së pari identifikimin e problemeve dhe arsyet që qëndrojnë prapa tyre. . Intervenimi I parë do të fokusohet në krijimin e Organizatës për Menaxhimin e Destinimit (DMO) për regjionin e Kosovës perëndimore (Bjeshkët e Nemuna) duke përfshirë komunat e Pejës, Deçanit, dhe Junikut. Problemet e identifikuara në këtë intervenim kanë të bëjnë me mungesën e koordinimit në mes të aktorëve të kësaj fushe. Qëllimi i intervenimit të parë të cilin ekipi e quan “Promovimi i një DMO-je funksionale” është krijimi i një “shift-i” të turizmit në Bjeshkët e Nemuna. Aktorët në sektorin e turizmit në këtë regjion punojnë individualisht në operacionet e tyre në biznes, dhe gjëja e cila mungon është pikërisht koordinimi për planifikim strategjik. Për këtë arsye DMO-ja do ti koordinoj aktorët e të gjitha niveleve përfshirë këtu sektorin publik, privat, OJQ-të, dhe grupet tjera të cilat do të kontribuojnë në këtë fushë.

Ekipi i PPSE është duke përgatitur të gjitha intervenimet, përfshirë këtu edhe përgatitjet e detajuara për intervenimin DMO.