Të rinjtë e Gjakovës i bashkohen profesionit të guidës turistike

Fisnik Arllati, Rudina Lila, Kushtrim Dula dhe Shqipe Mula janë katër të rinj nga Gjakova që tashmë janë gati për të nisur karrierën e re profesionale si guidë turistike.

Këta të rinj ishin pjesë e programit të trajnimit një-mujor për guida turistike që u organizua në Prishtinë nga kompania Gears Up Solutions. Me shkathtësitë e reja që kanë mësuar, këta të rinj do të plotësojnë një mungesë ekzistuese për këtë profesion, profesion ky që është një nga hallkat kryesore në zinxhirin e zhvillimit të sektorit të turizmit në vend.

Të rinjtë që përfunduan trajnimin mund të punësohen në dy mënyra. Ata mund të kontraktohen nga operatorë të ndryshëm turistikë, si hotele, ristorante apo kompani të tjera, ose të ofrojnë shërbimet e tyre si guidë në mënyrë të pavarur, pra të vetëpunësohen.

“Profesioni i guidës turistike është një mundësi e shkëlqyer për punësim për të rinjtë kosovarë. Ata ofrojnë shërbime për turistë të huaj që duan të njohin më mirë qytetet e Kosovës” thotë Blerina Batusha Xërxa, eksperte e turizmit pranë organizatës Swisscontact që ka mbështetur këtë trajnim. “Duke qenë se në Kosovë mungon procesi zyrtar i certifikimit të guidave turistike, në bashkëpunim me kompaninë Gears Up Solutions ne përdorëm kurrikulën ndërkombëtare të Swisscontact” shton Znj. Batusha-Xërxa.

Këtë trajnim e ka ndjekur një grup prej 13 të rinjsh nga Gjakova, Prizreni dhe Prishtina. Trajnimi u financua nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.