Nis zyrtarisht projekti i ri turistik në Prishtinë

 Sot, Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja Publike “Sport Marketing” nënshkruan kontratën me të cilën nis ndërtimi i Parkut të Aventurave IN-Nature në zonën e Germisë, Prishtinë. Ky projekt është një tjetër në linjën e projekteve të zhvilluara nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit, Kryetari i Komunës së Prishtinës, me qëllimin për të zgjeruar ofertën turistike të qytetit dhe aktivitetet rekreative si për banorët, ashtu edhe për vizitorët.

 Parku i Aventurave është planifikuar të ketë 67 elementë të ngjitjes dhe shtigje me kapacitet maksimal të vlerësuar prej 110 pjesëmarrësish në të njëjtën kohë. Përdoruesit e mjediseve të parkut mund të jenë çdokush nga mosha 4 vjeç e lart, me kusht që të mos kenë probleme me lartësitë apo shëndetësore.

 Përveç rritjes së numrit të aktiviteteve në qytet, Pi Aventurave është një deklaratë për mbrojtjen e mjedisit. Projekti i ndërtimit bazohet në Standardet Evropiane EN 15 567-1: 2015 dhe 15 567-2: 2015. Punimet nuk do të ndërhyjnë në mjedisin natyror apo në vitalitetin e pemëve ku do të instalohen elementet. Kjo do të thotë se kur hapësira të jetë funksionale, të gjitha pemët do të jenë të padëmtuara.

 “Parqet nuk duhet të mbrohen duke i rrethuar me tela, por duke i bërë ato interaktive. Njerëzit duhet ta përdorin parkun për atë qëllim që ka dhe ta mbrojnë atë. Për ne, Germia është një vend relaksimi dhe shëtitjeje. Vendi më i mirë për të ndërtuar shtigje të tilla janë pyjet natyrore, ku ne u mësojmë fëmijëve tanë se si të mbrojnë mjedisin përmes lojës” tha Shpend Ahmeti, Kryetari i Komunës së Prishtinës, në ceremoninë e nënshkrimit në 30 tetor 2020.

 Projekti mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, që implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.