Gratë bletare trajnohen mbi standardet dhe procedurat organike

 Sektori i bletarisë është fokusi i këtij viti i Shoqatës ORGANIKA në kuadër të aktiviteteve të saj për konsolidimin e bujqësisë organike në Kosovë. Tetë prezantime janë mbajtur tashmë para grupeve të bletarëve në të gjithë vendin lidhur me kërkesat dhe procedurat e certifikimit organik. Hapi tjetër është trajnimi i grave bletare mbi këto kërkesa dhe procedura.

 Në seancën e parë të trajnimit me gratë bletare që u mbajt në Istog, përfaqësuesit e ORGANIKA-s ndanë informacione në lidhje me bletarinë organike, kërkesat dhe rregullat për ta arritur atë, origjinën e bletëve, mënyrën e ushqimit të bletëve dhe masat parandaluese për të patur bletë të shëndetshme. Prezantimi dhe diskutimi me pjesëmarrëset theksoi se pse nevojitet certifikimi organik dhe si ai i jep kuptim biznesit. Në trajnim morën pjesë dhjetë gra bletare nga zona e Istogut, nga të cilat 3 nga komuniteti serbe.

 Programi hibrid i trajnimit do të vazhdojë me katër sesione të tjera trajnimi në sallë dhe material shtesë për trajnim në formën e videove që do të shpërndahen përmes grupeve në Viber. Gratë bletare do të jenë gjithashtu pjesë e një grupi të mbyllur në Facebook, qëllimi i të cilit është të përmirësojë përvojën e të mësuarit, të krijojë një platformë për komunikim dhe rrjetëzim për to.

 Trajnimi dhe certifikimi organik i bletarëve përmes Shoqatës ORGANIKA mbështetet nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Projekti implementohet nga Swisscontact në konsorcium me Institutin Riinvest.