Guida turistike të reja për segment specifik të turistëve dhe përvoja më të sigurta në Kosovë

Guidat turistike luajnë rol kyç në industrinë e turizmit: ata janë krijuesit e përvojave të turistëve. Përveç pasionit dhe njohurive, të jesh guidë turistike i mirë nuk është e lehtë dhe duhet kohë për t’i përvetësuar këto shkathtësi të posaçme. 

Për Arsim Rexhepin, themelues i Balkan Destination, guidat turistike profesionale janë shtylla e punës së tij dhe e industrisë së turizmit në Kosovë. “Të gjithë operatorët turistikë në Kosovë duhet të ofrojnë shërbime shumë profesionale dhe të punojnë sipas rregullave të industrisë” thotë ai. Arsimi thotë se krijimi i përvojave të paharrueshme është mënyra për t’i bërë turistët të kthehen sërish. 

Guidat turistike në Kosovë, shumica prej të cilëve janë profesionistë të pavarur, u goditën rëndë nga pandemia që pothuajse e ndërpreu të gjithë industrinë e turizmit në mbarë botën. Në pritje të rifillimit të punës, Balkan Destination nisi planifikimet dhe përgatitjet për të ardhmen. Duke qenë se një pjesë e madhe e turistëve në Kosovë vijnë nga vende gjermanishtfolëse, Arsimi vendosi që të trajnojë guida të reja për këtë segment specifik, për të qenë i gatshëm kur udhëtimi drejt Kosovës për qëllime turistike të rifillojë. 

“Mungesa e guidave vendase që flasin gjermanisht është pengesë për përmbushjen e kërkesës nga turistët gjermanishtfolës” thotë Arsimi. Programi i trajnimit gjashtë-ditor që ai dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan, synon të zhvillojë një grup në zgjerim të guidave turistiek që jo vetëm kanë shkathtësi të shkëlqyera të komunikimit në gjermanisht, por janë edhe profesionistë të kualifikuar për t’u siguruar turistëve të huaj përvojën më të mirë dhe kujtimet më të bukura nga Kosova. 

Ndriçim Smërqakut gjithnjë i ka pëlqyer të shërbejë si guidë apo udhërrëfyes për familjen dhe miqtë e tij. Kur iu paraqit mundësia që pasionin ta shndërrojë në aktivitet fitimprurës, ai vendosi të bëhej pjesë e trajnimit “sepse e di që kjo është puna e duhur për mua dhe trajnimi ishte mundësi e shkëlqyer për të mësuar se si të bëhem guidë profesionist”.  

Trajnimi u mbajt për një grup prej 13 profesionistësh të rinj me profile nga më të ndryshme, por që i bashkon pasioni për punën si guidë turistike. Si teoria, ashtu edhe pjesa praktike e trajnimit i ka përgatitur guidat turistike të ardhshëm se si të merren me secilin aspekt të udhëheqjes së grupeve: logjistikën, përshkrimin e atraksioneve, teknikat për t’u marrë me grupe të madhësive të ndryshme, apo menaxhimi i situatave të papritura. Mbi të gjitha, grupi u trajnua për praktikat e sigurta të udhërrëfëmit që do të jenë me rëndësi në kohën pas pandemisë.   

Kur ishte studente, Flaka Ramadani kishte shumë miq ndërkombëtarë dhe në shumë raste, ajo ka qenë guida turistike e tyre nëpër Kosovë. “Atëherë e kuptova sa i rëndësishëm është prezantimi i duhur i atdheut dhe prandaj vendosa të bëhen pjesë e trajnimit, që të jap kontributin tim për të promovuar Kosovën, vend që ka aq shumë për t’i treguar botës, por ende njihet pak” thotë Flaka, e cila tani punon si mësimdhënëse e gjermanishtes. 

Besfort Kruma shërben për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në kuadër të detyrave të veta ka edhe shoqërimin e delegacioneve të huaja. “Pjesa e trajnimit për kulturën dhe traditën tonë ishte kuptimplotë dhe ne patëm rastin të vizitojmë atraksionet kryesore” thotë ai. Besforti pret që kjo përvojë e re do t’i hyjë në punë me sipërmarrjen e tij të re: një kompani që do të ofrojë aktivitete për fuqizim të ekipeve dhe aktivitete rekreative për të rritur dhe fëmije.  

Balkan Destination organizon çdo vit trajnime për guidat turistike. Sidoqoftë, trajnimi i këtij viti për guidat gjermanishtfolës ishte i veçantë, pasi pjesëmarrësit u trajnuan si guida të qytetit dhe malore. Për ta zhvilluar programin në tërësi, Balkan Destination u mbështet nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që fasiliton aktivtete me sektorin privat për përmirësimin e ofertës turistike të Kosovës.