Kontaktoni me ne

+383 (38) 609 403

Kërko faqen

Kontributi dhe lidershipi i grave në sigurinë e ushqimit dhe në ekonomi

 Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, që shënohet çdo vit me 15 tetor, projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat organizoi një ngjarje për të vënë në pah rolin që luajnë gratë në sigurinë e ushqimit dhe në uljen e varfërisë. 

Në ngjarje morën pjesë Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrjeve dhe Tregtisë dhe Katrin Ochsenbein, Këshilltare Rajonale për Punësim dhe të Ardhura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Shënimi i kësaj date është me rëndësi, pasi rrit vetëdijësimin për sfidat specifike me të cilat përballen gratë rurale gjatë përpjekjeve të tyre për t’u bërë aktive në ekonomi, për të patur qasje të barabartë në burime dhe për të rritur fuqinë e tyre vendimmarrëse.  

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ministrja Hajdari deklaroi: “Gruaja është shtylla kryesore për një Kosovë moderne. Është mirë që kjo datë po shënohet për të theksuar rolin e grave në industrinë e përpunimit të ushqimit, dhe për këtë  kemi rezultate të mira dhe ndër vite jemi dëshmitarë se gratë e angazhuara po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm dhe të dukshëm në industri, ndërmarrësi e edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Bizneset e tyre janë konkurruese jo vetëm me biznese në pronësi të burrave, por dhe biznese të ngjashme në rajon”. Gjithashtu Ministrja Hajdari bëri njoftimin se gratë në biznes do të përkrahen  edhe më tutje ku në vitet në vijim gjatë mandatit të saj në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë  do të shpallen grant skema për aplikacione të ndërmarrësisë dhe inovacioneve  ku gratë do të kenë përparësi në përfitimin e këtyre granteve me idetë e tyre kreative, dhe inovative.

Në këtë ngjarje, që bëri bashkë gra nga sektori privat dhe media, Znj. Ochsenbein theksoi rëndësinë për të adresuar pabarazitë e të gjitha llojeve, në të gjitha nivelet, sidomos ato që ndërlidhen me aspektin gjinor. 

“Qëllimi afatgjatë i Zvicrës është të ndryshojë normat dhe sjelljet e ndërlidhura me gjininë, sidomos në sektorin privat, sepse sipas pikëpamjes sonë, barriera të tilla janë të panevojshme dhe pengojnë zhvillimin, rritjen dhe inovacionin” tha ajo. “Kjo ditë do të rrisë vetëdijësimin për sfidat specifike me të cilat përballen gratë rurale për t’u bërë aktive ekonomikisht, të kenë qasje të barabartë në burime dhe të rrisin fuqinë e tyre vendimmarrëse”. 

Në kuadër të eventit u organizuan edhe dy diskutime në panel. Në panelin e parë, gratë që punojnë se industrinë e përpunimit të ushqimit folën për punën, sfidat që kanë, si COVID-19 ka ndikuar në bizneset e tyre dhe lidershipin që kanë treguar për të mbijetuar, për t’u përshtatur dhe për të sjellë inovacion. Në panelin e dytë, gratë nga media, të cilat i përdorin platformat e tyre për të vënë në pah kontributin e grave në biznes theksuan se sa e rëndësishme është që këto shembuj të promovohen vazhdimisht.  

Projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka si qëllim kryesor rritjen e punësimit për të rinjtë dhe të rejat nëpërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. PPSE implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.