Kërko faqen

Ndërmarrësi nga Kosova sjell në treg produkte nga frutat arrore

Çfarë kanë të përbashkët lajthitë, një figurë historike nga Novobërda, Norvegjia dhe dëshira për ta mbrojtur mjedisin? Është “Pelini’s”, një prodhues nga Kosova i produkteve ushqimore të shëndetshme me bazë nga frutat arrore. 

Themelues i këtij biznesi që gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë është Ervin Ibrahimi. Vite më parë, Ervini dhe bashkëshortja e tij Majlinda ishin studentë në Norvegji. Të rrethuar nga mënyra norvegjeze e jetesës, ata nisën të mishërohen me kulturën e atjeshme për mbrojtjen e natyrës dhe të çdo burimi natyror. Edhe gjatë punës së tyre me organizata ndërkombëtare në Kosovë, çifti Ibrahimi gjithnjë e më shumë e bënë të tyren filozofinë e praktikave të qëndrueshme mjedisore dhe të jetesës së shëndetshme. 

Në vitin 2013, Ervinit i lindi ideja të mbillte lajthi në tokën e familjes së tyre pranë Novobërdës. Rrugëtimi i hulumtimit se çka mund të bënte më tutje me lajthitë nisi në tregun e Prishtinës, ku në bisedë e sipër me tregtarët atje Ervini kuptoi se cilat ishin mënyrat më të mira për ta shpërndarë produktin e tij. Aktiviteti biznesor nisi me shpërndarjen e lajthive të thyera dhe të qëruara tek lista në rritje e klientëve që kërkonin produkt të tillë cilësor. “Kur nisesha për në punë në mëngjes, rrugës shpërndaja porositë” tregon Ervini për fillesat e ‘Pelini’s’. 

Frymëzimin për t’i vënë biznesit emërtimin ‘Pelini’s’ e pati nga Gjergj Pelini, figurë historike e periudhës së Skënderbeut, i lindur në Novobërdë – vendi prej ku nisi mbjellja e lajthive. 

Pak kohë më vonë, me rritjen e kërkesës për lajthi, ai çeli dhe pikën e shitjes në lagjen Ulpiana. Duke i qëndruar besnik filozofisë mjedisore dhe për të lënë sa më pak gjurmë në mjedis, i gjithë lokali u rregullua me interier të ripërdorur, kryesisht dru. 

Më pas, nisi faza e radhës e hulumtimit se çka tjetër mund t’u ofronte konsumatorëve. 

“Kështu arrita tek vendimi që të nis prodhimin e gjalpit, vajit dhe qumështit nga frutat arrore” thotë Ervini. 

Tani, në shitoren e këndëshme ‘Pelini’s’ në Prishtinë, lista e produkteve të shijshme dhe të shëndetshme është mjaft e pasur: lloje të ndryshme të frutave arrore, gjalpë i freskët nga këto fruta arrore i prodhuar në çast, vajra nga frutat arrore prodhuar me teknikën e shtypjes së ftohtë, fruta të thata, miellëra të ndryshme, që gjithnjë e më shumë po bëhen përbërësit kryesorë të mënyrës së shëndetshme të të ushqyerit. 

Gjatë zgjerimit dhe avancimit të aktivitetit të tij prodhues, Ervini arriti në një fazë kur i nevojitej përkrahje, një shtysë më shumë. Në kuadër të bashkëpunimit me projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ‘Pelini’s’ bëri disa ndryshime. 

Së pari, u mundësua blerja e linjës për prodhimin e gjalpit nga frutat arrore, vajit të kokosit dhe prodhimit të tahin-hallvës. Krahas me këtë linjë, u përmirësua teknika e prodhimit, efikasiteti, si dhe u rrit kapaciteti, gjë që mundëson shtrirje më të madhe në treg. Dizajni i uebfaqes dhe i paketimit për produktet e reja ishte po ashtu pjesë e kësaj përkrahjeje.  

Përkrahja u zgjerua më tej me përmes konsulencës së ofruar nga shërbimi Kontakti i Ekspertëve Seniorë të organizatës Swisscontact. Kompania ka shtuar numrin e produkteve dhe e ka përmirësuar formulën e tyre, është rritur efikasiteti i cilësisë së punës dhe kapaciteti. 

Shitorja ‘Pelini’s’ është një nga hapësirat interesante të Prishtinës, ku konsumatorët jo vetëm furnizohen me lajthi të cilësisë së lartë, të prodhuara në Kosovë, por mund të blejnë edhe gjalpëra nga frutat arrore që prodhohen aty për aty. 

“Kemi shumë klientë që blejnë tek ne jo vetëm për nevojat e tyre, por edhe dhurata. Ata vijnë me kavanozët e tyre të qelqit për t’i mbushur me çfarëdo gjalpi apo produkti tjetër që u shijon. Kjo mënyrë e paketimit dhe e ripërdorimit të kavanozëve të qelqit është në përputhje me filozofinë tonë mjedisore” tregon Ervini.