Një udhërrëfyes për “sekretet” turistike të Kosovës

Çdo qytet ka “sekretet e hapura” të veta që presin t’i zbulosh. Një shtëpi e vjetër me arkitekturë unike, një kafene ku mblidhen të pasionuarit pas arteve, një restorant ku shërbehen pjata që s’mund t’i shijosh askund tjetër, apo një objekt kulturor-shpirtëror që ruan brenda vetes histori të padëgjuara më parë. 

Vendet ku hahet mirë, jeta e natës, shëtitjet nëpër qytet, objektet kulturore dhe fetare, rrugicat plot histori. Çdo qytet është destinacion që pret ta zbulosh. Mënyra më e bukur dhe më e lehtë për ta zbuluar shpirtin e një qyteti është përmes njohurive që kanë banorët e atij qyteti. 

Një nga profesionet e reja që po merr formë në Kosovë është ai i guidave (udhërrëfyesve) turistike për zonat urbane. Këta guida, me profesione të ndryshme, i bashkon pasioni për turizmin dhe dëshira për t’ua prezantuar vizitorëve shpirtin e qytetit ku jetojnë. Gjithashtu, ata janë profesionistë të fushave të ndryshme, por me kualifikimet e duhura për t’u ofruar vizitorëve përvoja të paharrueshme dhe informata interesante dhe të faktuara për qytetet ku ata veprojnë. 

“Puna si guidë turistike të jep shumë hapsirë që të transmetosh e të rrëfesh për jetën dhe kulturën e vendit ku jeton. Ajo çka më tërheq më së shumti në këtë profesion është afërsia që krijon me njerëz dhe mundësia për të shpërfaqur dhe promovuar vendin” thotë Egzona Azemi, etnologe dhe guidë turistike në qytetin e Vushtrrisë.

Enes Toska është Drejtori Ekzekutiv dhe një nga themeluesit e organizatës GuideKs. Ai tregon se organizata është krijuar për të rregulluar funksionimin e profesionit të guidave turistike dhe për të promovuar vlerat dhe përgjegjësitë e këtij profesioni. Sipas Enesit, në krah të pasionit për të punuar si guidë turistike, “qëndron edhe profesionalizmi dhe përgjegjësia. Trajnimet e ndryshme që kemi bërë kanë vënë në dukje sa rëndësi kanë kualifikimet e duhura dhe përgjegjësia gjatë punës”.

Ideja për themelimin e organizatës GuideKs erdhi nga një grup i të rinjve me profesione të ndryshme që morën pjesë në trajnimin për guida turistike të organizuar nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Duke qenë se në Kosovë aktualisht mungojnë programet shtetërore për certifikimin e guidave turistike, në trajnim u shfrytëzuan kurrikulat ndërkombëtare të organizatës zvicerane Swisscontact, që ka portofolio të pasur në zhvillimin e turizmit në mbarë botën. 

“Me shkathtësitë e reja që përftuan gjatë trajnimit, të rinjtë plotësojnë një mangësi të theksuar në tregun e Kosovës për guida turistike, ky një profesion kyç për zhvillimin e sektorit të turizmit në Kosovë” thotë Blerina Batusha-Xërxa, eksperte e turizmit në projektin PPSE. Të rinjtë që kanë kryer këtë trajnim mund të punësohen në dy forma: të bashkëpunojnë me operatorë turistikë, hotele, restorante apo kompani të tjera, ose shërbimet t’i ofrojnë në mënyrë të pavarur, pra të vetëpunësohen. 

Përveç fuqizimit të profesionit të guidave turistike, GuideKs ka për qëllim edhe promovimin e Kosovës si destinacion dhe përmirësimin e imazhit të vendit ndërkombëtarisht. GuideKs është anëtarësuar në Federatën Evropiane të Asociacioneve të Guidave Turistike (FEG), gjë që krijon mundësi për rrjetëzim më të madh dhe kualifikim të mëtejshëm të anëtarëve të GuideKs. Aktualisht, GuideKs ka mbi 60 anëtarë që ushtrojnë veprimtarinë në mbarë Kosovën.

“Krahas vizitës në monumentet kryesore të qytetit, vizitorët duhet të njoftohen edhe me karakteristikat dhe shpirtin e qytetit” thotë Nora Arapi Krasniqi, arkitekte, e cila prej vitit 2014 punon edhe si guidë turistike në qytetin e Prizrenit. Sheshi Shadërvan, Kompleksi i Marashit dhe bregu i Lumbardhit janë vendet ku vizitorët përjetojnë ndërthurjen e arkitekturës dhe natyrës, që i jep gjallëri Prizrenit, thotë ajo.  

Nuk mund t’i dish “sekretet e hapura” të një qyteti nëse nuk je rritur aty. Dinamika e jetës së qyteteve bën që disa vende argëtimi të shuhen, të tjera të shfaqen, apo që atraksionet të ndryshojnë dhe pasurohen. Informatat në internet jo çdoherë kanë ngrohtësinë njerëzore të historive që mund t’i rrëfejnë vetëm vendasit. Prandaj këtë vit, zbuloje vendlindjen si turist përmes syve dhe njohurive të guidës turistike që të shpalos shpirtin e qytetit!