Prodhuesi nga Kosova shton produkte të reja për të nxitur rritjen

Paketimi i produkteve në madhësi të ndryshme e madje edhe më të vogla rrit vlerën e tyre. Eurofruti, që ndër të tjera prodhon edhe fruta të imëta të ngrira, do të sjellë një linjë të re të produkteve të paketuara në sasi më të vogla, si për tregun vendor, ashtu edhe për atë ndërkombëtar, ku kompania është aktualisht e pranishme.

Përmes një marrëveshjeje partneriteti me projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat të Swisscontact, Eurofruti do të investojë në makinerive të reja për të plotësuar linjën e re, si dhe në brendimin dhe dizajnimin e produkteve të veta. Linja e re e paketimit do të jetë për 8 produktet e reja të kompanisë (mjedër, boronica, manaferra, manaferra të egra, luleshtrydhe, luleshtrydhe të egra, thana dhe kumbulla) me pesha të ndryshme 100gr, 250gr, 350gr, 500gr dhe 1kg. Linja e re e paketimit mund të përdoret edhe për paketimin e frutave dhe perimeve të tjera të ngrira. Ky lloj diversifikimi i produkteve rrit çmimin e tyre.

Bashkëpunimi midis Eurofrutit dhe PPSE-së do të ketë ndikim të mëtejshëm, pasi do të krijohen 6 vende të reja pune direkte në nivelin e kompanisë, do të kontraktohen 65 fermerë dhe grumbullimi i frutave të imëta do të rritet për të paktën 15%.