Via Ferrata e re në Deçan pasuron ofertën e turizmit në natyrë të Kosovës

Via-Ferrata me gjatësi 450 metra është produkti më i ri publiko-afarist turistik në Deçan, që pritet të lansohet në pranverën e vitit 2021. Pas nënshkrimit të marrëveshjes tripalëshe, do të fillojë ndërtimi i Via Ferrata, projekt që do ta pasurojë ofertën e turizmit në zonë.

Via Ferrata Deçan që do të ndërtohet në Grykën e Lumbardhit do të jetë produkt i plotë që përfshin "Urën Tibetane" me gjatësi 25 metra, si pika fillestare e shtegut ngjitës që çon alpinistët në majën më të lartë të malit, me pamje nga Gryka e Deçanit dhe Bjeshkët e Nemuna, ku do të ndërtohen edhe ambiente pushimi.

Ky është projekt i Klubit Bjeshkatar Kosova, i bashkëfinancuar nga Komuna e Deçanit dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit të Sektorit Privat. Qëllimi kryesor i projektit është të ndihmojë në zgjerimin e ofertës turistike të kësaj zone, të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të vizitorëve dhe të krijojë më shumë mundësi punësimi.